Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Hermès, Guillaume des Seynes, ka deklaruar se kompania synon të rrisë interesin e meshkujve për blerjen e orëve të saj, duke ndjekur suksesin e madh që marka ka pasur me produktet prej mëndafshi dhe lëkure, përcjell Euronews.
Sipas tij, Hermès mbetet një sfidues në industrinë e orëve, pasi është tradicionalisht i njohur për aksesorët luksozë dhe jo për orologjinë. Megjithatë, kompania synon të arrijë nivelet më të larta teknike, duke konkurruar me markat më të mira në treg dhe duke sjellë njëkohësisht kreativitetin dhe origjinalitetin që e karakterizon.
Des Seynes theksoi se divizioni i orëve u krijua rreth 50 vite më parë në Zvicër nga familja themeluese, me synimin për të kombinuar traditën e orologjisë zvicerane me guximin në dizajn, format dhe përdorimin e ngjyrave.
Ai shtoi se objektivi është që orët Hermès të vlerësohen më shumë nga njohësit dhe specialistët e fushës, ndërsa shprehu dëshirën që gjithnjë e më shumë burra të vizitojnë dyqanet e markës posaçërisht për të blerë një orë, dhe jo vetëm për të shoqëruar partneret e tyre në blerjen e produkteve ikonike si çantat.
