Vendosni fjalën kyçe....

‘Po mbroni interesa kriminale dhe po favorizoni ndërtuesit” – përplasje mes Tabakut dhe ministrit Malaj në Kuvend


Debate të ashpra janë zhvilluar në Kuvend mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, lidhur me taksimin në sektorin e ndërtimit dhe çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme.

Tabaku akuzoi qeverinë se përmes mbajtjes së çmimeve të ulëta të referencës po favorizon ndërtuesit, duke u krijuar atyre mundësinë të paguajnë më pak taksa. Sipas saj, kjo praktikë shërben për të mbrojtur interesa kriminale dhe për të lehtësuar pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit.

“Qeveria fsheh përfituesit e vërtetë, mbron interesa kriminale e korruptive. Çmimet e apartamenteve kanë shkuar nga 2500 deri në 6000 euro për metër katror. Po bëni ligje me porosi,” deklaroi Tabaku, duke shtuar se ndërtimi mbetet një nga sektorët me nivelin më të lartë të informalitetit.

Ajo kritikoi gjithashtu zvarritjen e procesit të rivlerësimit të pronave, duke theksuar se për dy vite ai është mbajtur i bllokuar me argumentin e mungesës së çmimeve të reja të referencës, ndërsa në praktikë këto çmime ende nuk janë miratuar.

Në të njëjtën linjë, Tabaku ngriti shqetësimin për presionin ndaj bizneseve të vogla, duke akuzuar administratën tatimore për kontrolle të shpeshta.

Nga ana e tij, ministri Petrit Malaj hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se taksimi në ndërtim nuk bazohet te çmimet e referencës, por te preventivi i investimit.

“Taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë vendore dhe paguhet mbi bazën e preventivit të investimit, jo mbi çmimet e referencës. Ne nuk po avantazhojmë askënd, por po zbatojmë kuadrin ligjor në fuqi,” u shpreh Malaj.

Ai sqaroi se procesi i rivlerësimit të pronave ka nisur në dhjetor 2025 dhe po vijon në të gjithë vendin, me rreth 9500 aplikime deri tani. Sipas tij, ky proces do të përfundojë brenda vitit 2026 dhe do të reflektojë më mirë realitetin e tregut.

Sa i përket akuzave për presion ndaj bizneseve, Malaj theksoi se gjatë vitit 2025 janë kryer rreth 3700 kontrolle tatimore nga 142 mijë biznese aktive, që përbëjnë vetëm 3% të totalit.

Debati mes palëve nxori në pah përplasjen mbi mënyrën e funksionimit të tregut të pasurive të paluajtshme dhe rolin e politikave fiskale, ndërsa çështja e çmimeve të referencës dhe informalitetit në ndërtim mbetet një nga temat më të diskutuara në ekonominë shqiptare.