Seanca e sotme plenare në Kuvend u përfshi nga debate të forta gjatë interpelancës mes deputetit demokrat Zija Ismaili dhe Ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, lidhur me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit.
Deputeti Ismaili ngriti alarmin për situatën në qarkun e Beratit, duke pohuar se rreth 900 hektarë tokë dhe sera janë nën ujë, me një dëm ekonomik që varion nga 72 deri në 135 milionë euro.
Ismaili akuzoi qeverinë se ka lënë pas dore fermerët, duke ofruar ndihma qesharake në vend të dëmshpërblimeve reale.
“U ngritën komisionet lokale për dëmet në sera dhe në fund qeveria u shpërndau nga 1 kg ushqim për bagëtitë e imta dhe nga 5 kg ushqim për gjedhët, përmes kryepleqve që në fakt janë vetëm patronazhistë”, deklaroi deputeti i opozitës.
Sipas tij, mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese mbetet shkaku kryesor i kësaj katastrofe ekonomike që po detyron fermerët të braktisin punën.
Nga ana e tij, Ministri Andis Salla sqaroi pozicionin e institucionit që ai drejton, duke nënvizuar se kompetenca ligjore për kompensimin e dëmeve u takon bashkive dhe jo drejtpërdrejt Ministrisë së Bujqësisë.
Ai konfirmoi se bashkitë kanë përfunduar inventarizimin e dëmeve dhe se qeveria do të vërë në dispozicion fondet e nevojshme në buxhetin e vitit 2026.
“Gjej rastin të sqaroj se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë nuk e kanë në fushën e tyre përgjegjësinë e kompensimit të dëmeve ndaj fermerëve. Kompensimi bëhet nga organet e qeverisjes vendore”, u shpreh ministri Salla, duke shtuar se po punohet për rehabilitimin e strukturave mbrojtëse në lumenjtë Osum, Devoll dhe Seman.
Si një zgjidhje afatgjatë për këto situata të përsëritura, Ministri Salla njoftoi se brenda vitit 2026 do të paraqitet në Kuvend projektligji për sigurimet në bujqësi.
Sipas tij, kjo nismë do të garantojë një mekanizëm të qëndrueshëm që i mbron fermerët nga fatkeqësitë natyrore pa pasur nevojë për ndërhyrje ad-hoc të qeverisë. “Ky ligj do të sigurojë që çdo situatë e tillë të ketë një zgjidhje të parashikueshme dhe financiare”, përfundoi ai.
