
Kompania gjermane Lufthansa do anulojë disa linja evropiane dhe 20,000 fluturime të shkurtra të planifikuara deri në tetor, në një përpjekje për të kursyer karburant avionësh, ndërsa linjat ajrore përballen me mungesa të mundshme dhe çmime më të larta për shkak të luftës në Iran.
Grupi gjerman tha të martën se fluturimet e anuluara operohen nga disa prej linjave të tij ajrore, kryesisht nga transportuesi rajonal CityLine.
Javën e kaluar, Lufthansa njoftoi një grup të parë masash, përfshirë se do mbajë në tokë avionë joefikasë dhe do heqë 27 avionët operativë të CityLine nga kalendari i fluturimeve verore. Heqja e CityLine ishte planifikuar tashmë para luftës, por konflikti në Iran e detyroi grupin ta zbatojë këtë masë më herët, tha ai në atë kohë.
Reduktimet e njoftuara të martën duhet t’i lejojnë kompanisë të kursejë më shumë se 40,000 ton karburant avionësh, tha Lufthansa. Furnizimi me karburant për fluturimet e planifikuara në kalendarin veror duhet të jetë kryesisht i qëndrueshëm, shtoi ajo.
Çmimet e karburantit të avionëve në Evropë janë dyfishuar që kur SHBA dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt dhe pasi Teherani u hakmor duke bllokuar eksportet e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se Evropa ka vetëm rreth gjashtë javë furnizim me karburant avionësh.
Njoftimi i Lufthansa vjen pasi Kancelari gjerman Friedrich Merz të dielën tha se së shpejti do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Gjermanisë, i përbërë nga ministra të qeverisë, për të diskutuar mundësinë e mungesave të karburantit të avionëve të lidhura me luftën në Iran.
Lufthansa gjithashtu anuloi përkohësisht linja nga Frankfurti drejt Bydgoszcz dhe Rzeszow në Poloni, si dhe Stavanger në Norvegji, dhe tha se 10 lidhje të tjera po konsolidohen brenda grupit përmes aeroporteve të tjera.
Kufizime të mëtejshme të fluturimeve të planifikuara nga qershori e tutje do publikohen në fund të prillit ose në fillim të majit, tha ajo, shkruan WSJ.