Vendosni fjalën kyçe....

Kevin Warsh në Senat: Nuk do të jem ‘kukulla’ e Trumpit nëse konfirmohem si kreu i Fed


Kevin Warsh, zgjedhja e Presidentit Donald Trump për të udhëhequr Rezervën Federale (Fed), ka deklaruar përpara Senatit se do të ruajë pavarësinë e institucionit dhe nuk do të shndërrohet në një mjet për axhendën politike të Shtëpisë së Bardhë. Seanca dëgjimore vjen në një kohë kur mandati i kryetarit aktual, Jerome Powell, përfundon në maj.

Gjatë seancës, senatorja demokrate Elizabeth Warren hodhi akuza të forta, duke e cilësuar Warsh si një “kukull” (sock puppet) të Trumpit, që do të shërbente vetëm për të çuar përpara politikat ekonomike të presidentit. Warsh iu përgjigj prerë këtyre akuzave.

“Unë nuk do të jem absolutisht një kukull e Presidentit Trump nëse konfirmohem në këtë pozicion dhe do të veproj në mënyrë të pavarur”, deklaroi Warsh para komisionit, përcjell BBC.

Ndryshe nga Powell, i cili ka pasur përplasje të vazhdueshme me Trumpin për çështjen e normave të interesit, Warsh ka shprehur mbështetjen e tij për uljen e tyre, një qëndrim që përkon me dëshirën e presidentit. Megjithatë, mbështetja e republikanëve nuk është unanime.

“Senatori Thom Tillis, një anëtar kyç i komisionit, ka deklaruar se mund të bllokojë konfirmimin e Warsh derisa të ndërpritet hetimi federal ndaj Jerome Powell”, raportohet nga seanca.

Nga ana tjetër, kryetari republikan i komisionit, Tim Scott, e mbrojti kandidaturën e Warsh, duke e cilësuar atë si “të testuar në betejë” dhe të duhurin për të marrë drejtimin e bankës qendrore më të fuqishme në botë.