Izraeli ndaloi për dy minuta në orën 11:00 të së martës, teksa një sirenë u dëgjua në të gjithë vendin për të përkujtuar ushtarët e rënë dhe viktimat e sulmeve terroriste.
Në Sallën e Përkujtimit në Mali Herzl në Jerusalem, u mbajt ceremonia shtetërore në praninë e presidentit Isaac Herzog, kryeministrit Benjamin Netanyahu, kryetarit të parlamentit Amir Ohana dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë.
Në fjalën e tij, Netanyahu foli për dhimbjen personale për humbjen e vëllait të tij, Yonit, i vrarë gjatë operacionit në Entebbe. “Bota ime u shemb. Nuk kalon asnjë ditë pa menduar për vëllain tim Yoni. Më mungon thellësisht,” u shpreh ai, përcjell Ynet.
Ai përmendi gjithashtu ushtarë të rënë së fundmi në Gaza, duke cituar familjarët e tyre dhe duke theksuar dhimbjen që mbart çdo familje.
Duke iu referuar konfliktit me Iranin, Netanyahu deklaroi: “Në luftën me Iranin, thelbi është më i qartë se kurrë: të mbrojmë ekzistencën tonë kombëtare, shtëpinë dhe popullin tonë.” Ai shtoi më tej: “Regjimi i ajatollahëve planifikoi një holokaust. Synonte të na shkatërronte me bomba bërthamore dhe mijëra raketa balistike. Nëse nuk do të kishim vepruar, mund të ishim bashkuar me emrat e kampeve të Holokaustit si Aushvici dhe Treblinka.”
Ngjarjet përkujtimore nisën një natë më parë me një tjetër sirenë njëminutëshe në nder të 25,648 anëtarëve të forcave të sigurisë të rënë ndër vite.
Në ceremoni, presidenti Herzog deklaroi: “Lufta është një provë kombëtare dhe ne si popull po i përgjigjemi me vendosmëri dhe forcë, pavarësisht dhimbjes së madhe.” Ai përshkroi heshtjen pas sirenës si një moment të rëndë, të mbushur me kujtime dhe humbje, ku, sipas tij, “nuk ka as gjuhë dhe as ngushëllim.”
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, vlerësoi guximin e ushtarëve dhe theksoi nevojën për unitet kombëtar, duke thënë se “kohezioni është kusht për ekzistencën tonë.”
Ceremonitë do të vijojnë gjatë ditës, përpara se në mbrëmje të nisë ceremonia e ndezjes së pishtarëve, që shënon përfundimin e Ditës së Përkujtimit dhe fillimin e festimeve për Ditën e Pavarësisë së Izraelit.
