Vendosni fjalën kyçe....

I jepni një mundësi Spiropalit



Nga Irena Beqiraj

Në Londrën e shekullit të tetëmbëdhjetë, me një qindarkë mund të siguroje një vend në një kafene, një filxhan kafe dhe mund të bisedoje në një tavolinë ku nuk njihje askënd. Ato tavolina u bënë shpesh hapësira të rëndësishme të debatit. Shkencëtarët, tregtarët, pamfletistët dhe qytetarët debatonin deri natën vonë për politikën, tregtinë, shkencën dhe filozofinë. Hapësira të tilla, të njohura edhe si “universitete njëqindarkëshe”, ishin të hapura për gjithë gamën e gjerë të klasave shoqërore, aq sa Charles II u përpoq t’i ndalonte ato. Këto kafene u bënë qendrat e jetës shoqërore dhe intelektuale të Iluminizmit. E pra, idetë që riformëzuan botën moderne lindën në bisedat e këtyre kafeneve, e jo në vetminë e studiuesve. Iluminizmi nuk ishte zëri i një mendimtari të vetëm, por kori i ideve të shumë njerëzve.

Idetë e reja zhvillohen, ndahen, inkurajohen ose dekurajohen duke përdorur struktura dhe norma të gjeneruara dhe të kuruara në mënyrë kolektive. Ndaj Émile Durkheim i konsideronte idetë si pjesë e “vetëdijes kolektive” e jo thjesht mendime brenda mendjeve individuale. Ato janë pjesë e “jetës së përbashkët mendore” që formohet përmes institucioneve, traditave dhe marrëdhënieve.

Sot mediat janë si “kafetë njëqindarkëshe” të Londrës së vjetër, por fatkeqësisht më shumë sesa ide prodhojnë propagandë, populizëm dhe polarizim.

“Revolucion” u quajtën dy statuset e Elisës në një nga ekranet televizive, duke e vrarë dhe varrosur me brohoritje, shtatë pashë nën dhe, aktin e saj të mosbindjes. Argumentet “qëllimmira” shërbyen për të na kujtuar se në tokën e djegur dhe të zaptuar nga dhuna politike bashkëkohore, populizimi, polarizimi dhe propaganda çdo akt mosbindjeje mund të barazohet gabimisht me heroizmin.

Krahasimi i mosbindjes me revolucionin është shtrembërues, pasi nuk na lejon që problemet që sot Elisa po përpiqet të shtrojë të argumentohen, të kundërshtohen, të formëzohen dhe të përpunohen, por përkundrazi i vendos ato padrejtësisht nën dritën e cinizmit dhe hakmarrjes.

Nëse kjo qasje vazhdon, do të na lërë pa përgjigje nëse ka në reagimin e saj elementë për t’u çmuar apo për t’u përkrahur. Kjo qasje pengon krijimin e një ideje të qartë se çfarë urash duhen ndërtuar dhe cilat mure duhet të shkatërrohen nga socialistët e thjeshtë në lidhje me të dhe qëndrimet e saj.

Për më tepër, Elisa nuk është anëtare e thjeshtë e Partisë Socialiste, përkundrazi, deri dje ka shërbyer si mekanizmi politik më i rëndësishëm (pas Edi Ramës) për formësimin dhe përhapjen e propagandës. Dhe një propagande të pastër, që nuk tentonte vetëm të ndikonte opinionet tona, por ajo punonte për të krijuar apati, për të krijuar zemërim, për t’i larguar njerëzit nga sistemi politik, madje për t’i bërë skeptikë ndaj gjithçkaje.

Në këto kushte, nuk ka rëndësi çfarë mendon Elisa, por ka rëndësi si e mendon dhe si e artikulon atë, çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë më pas.

Për më tepër, spektakli i pastër i “distancimit”, me të cilin ka filluar ky akt mosbindjeje, nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm i ndërgjegjes për t’u ndjerë “e drejtë”, duke shmangur përgjegjësinë.

Rruga për në ferr shtrohet me qëllime të mira. Qëndrimet, idetë, aktet e mosbindjes nuk janë pasuri në vetvete, apo marrin vlerë nga forca për të mobilizuar sa më shumë njerëz rreth tyre.

Ndaj kush vërtet i vlerëson qëndrimet e Elisës, se në fund të fundit më mirë vonë sesa kurrë, nuk mund të ushtrojë mbi to gjykimin sipërfaqësor të spektatorit që kërkon të shohë revolucionin.

Askush, aq më pak Spiropali, nuk mund të formëzojë revolucione. Por gjithkush, aq më shumë Spiropali, i ka mundësitë të fillojë një proces reflektimi të sinqertë dhe publik, që kërkon pikë së pari përballje me të vërtetën.

Spiropalit sot nuk i nevojitet protagonizmi heroik, por shokë shumë.

I jepni një mundësi Spiropalit, mos e ngrini në piedestal për ta rrëzuar shpejt!