Vendosni fjalën kyçe....

Bozdo: Bizneset nën presion nga tatimet për detyrime të falura me ligj



Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Enno Bozdo, ka ngritur shqetësimin për, sipas tij, presionin që administrata tatimore po ushtron ndaj bizneseve për shlyerjen e detyrimeve të vjetra, të cilat janë shuar përmes ligjit të paqes fiskale.

Bozdo deklaroi se, pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjeve për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, bizneset vijojnë të përballen me kërkesa për pagesa.

“Është e papranueshme që më shumë se katër muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, këto detyrime vazhdojnë të kërkohen nga administrata”, u shpreh ai.

Sipas tij, një nga problemet kryesore është mungesa e akteve nënligjore nga Ministria e Financave, çka ka krijuar, siç e cilësoi, një situatë “absurde dhe të rrezikshme”, ku ligji ekziston, por nuk zbatohet në praktikë.

Ai theksoi se kjo situatë ka hapur rrugë për interpretime arbitrare dhe presion ndaj sipërmarrjes, duke përkeqësuar klimën e biznesit në vend.

“Mungesa e akteve nënligjore nuk është thjesht një vonesë burokratike, por një hapësirë për abuzime dhe trajtime selektive nga administrata tatimore”, deklaroi Bozdo.

Deputeti demokrat kërkoi nxjerrjen e menjëhershme të akteve nënligjore, ndalimin e çdo veprimi për mbledhjen e detyrimeve të falura dhe transparencë mbi zbatimin e ligjit, ndërsa u bëri thirrje bizneseve të refuzojnë, sipas tij, çdo kërkesë që bie në kundërshtim me kuadrin ligjor.