Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna në piramidat e Meksikës, humb jetën një turiste kanadeze, disa të plagosur



Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Piramidat e Teotihuacan, një nga destinacionet më të njohura turistike në Meksikë, ku një person i armatosur ka hapur zjarr ndaj vizitorëve, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur, përcjell DW.

Sipas autoriteteve, një grua nga Kanadaja ka humbur jetën, ndërsa disa persona të tjerë janë plagosur. Sulmuesi më pas i ka dhënë fund jetës në vendngjarje.

Ngjarja ndodhi në zonën e kompleksit arkeologjik pranë Mexico City, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e panikut, ku turistët kërkonin strehim ndërsa dëgjoheshin të shtënat.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi duke shprehur ngushëllimet për viktimën dhe solidaritet me të prekurit, ndërsa bëri të ditur se forcat federale dhe ato shtetërore të sigurisë janë angazhuar menjëherë në zonë.

Nga të dhënat paraprake, katër persona janë shtruar në spital me plagë nga armët e zjarrit, ndërsa dy të tjerë janë dëmtuar gjatë përpjekjeve për t’u larguar. Mes të plagosurve ka turistë nga Kolumbia, Rusia dhe Kanadaja.

Në vendngjarje janë gjetur armë zjarri, një thikë dhe municione, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.

Teotihuacan është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të lashtësisë në rajon dhe tërheq miliona vizitorë çdo vit, duke e bërë këtë incident veçanërisht shqetësues për sigurinë në zonat turistike.