Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Paketa e Maleve zgjidh problemet e Ligjit 7501, s’mund ta shesësh a japësh me qira tokën pa ndërtuar mbi të


Nisma “Paketa e Maleve” ishte në qendër të diskutimit gjatë takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi me përfaqësues të agroturizmit në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se kjo paketë ligjore synon të adresojë problemet që lidhen me titujt e pronësisë, të krijuara ndër vite që prej ligjit 7501.

Ai u shpreh se, “Paketa e Maleve synon që shumë shqiptarë që janë në emigracion apo që janë në qytet kanë toka, kanë shtëpi të vjetra, të cilat duan t’i zhvillojnë, po s’kanë asnjë mundësi t’i zhvillojnë sepse edhe sikur të kenë paratë nuk marrin dot leje se s’kanë titullin e pronësisë.”

Më tej, kryeministri sqaroi mekanizmin që parashikon ligji i ri: “Me ligjin e ri që quhet Paketa e Maleve, kjo bëhet e mundur duke aplikuar drejtpërdrejt, duke shprehur interesin pranë bashkisë e cila afishon një listë për 45 ditë ku dhe e bën publike,”.

Ai shtoi se, “Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshti e argumentuar, nëse s’vjen, lista kalon në Këshillin Bashkiak. Këshilli bashkiak e miraton dhe personi e çon aplikimin. Ky miratim vlen vetëm për këtë gjë. Vlen vetëm për të aplikuar, për të marrë leje për një projekt, nuk vlen për gjë tjetër fare.”

Rama theksoi kufizimet që lidhen me këtë proces, duke thënë: “As nuk mund ta marrësh tokën ta shesësh, as nuk mund ta japësh me qira, asgjë fare. As nuk merr titull pronësie. Nuk merr titull pronësie akoma. Po shkon në instancën përkatëse, aplikon me projektin dhe thua: Ky është projekti që dua të ndërtoj.”

Sipas tij, vetëm pas përfundimit të investimit lind e drejta e pronësisë: “Miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ti ke përfunduar ndërtimin, jo përpara, ti merr titullin e pronësisë mbi atë ndërtim dhe mbi atë investim, duhet ta mbarosh.”

Ai shtoi gjithashtu se toka nuk mund të përdoret si kolateral: “Nuk mund ta marrësh peng tokën, se praktikisht e ke kot se peng e ke njëkohësisht se e ke tokën nuk e përdor dot.”

Në vijim, Rama shpjegoi edhe mënyrën si trajtohen pretendimet e mundshme për pronësinë: “Po nuk mund të gëzosh një titull pronësie pa e investuar atë tokë dhe ligji parashikon që në çdo rast kur në një kohë x shfaqet dikush tjetër me pretendimin që është pronari, shkon në gjyq fiton me atë, nuk merresh ti, merret shteti. I takon shtetit pastaj që ta kompensojë personin, i cili mund të shfaqet si pretendent i kësaj prone.”

Në përfundim, ai nënvizoi se kjo paketë është në mbështetje të biznesit dhe e mbështetur mbi të drejtën e trashëgimisë: “Kjo është trajektorja që ndjek kjo paketë edhe është shumë pro biznes, është shumë e favorshme dhe është absolutisht e bazuar tek e drejta e trashëguar e pronës. Nuk është absolutisht e bazuar tek ‘hajde, se kemi Paketën e Maleve të japim ca toka në mal’ se nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë gjë, nuk është fare ky qëllimi e tjerë, e tjerë”.

Sipas kryeministrit, pas ndjekjes së kësaj procedure, toka nuk mund të shitet apo të jepet me qira; vetëm pasi projekti miratohet dhe përfundon ndërtimi, investitori përfiton titullin e pronësisë mbi investimin e realizuar.

Ai përsëriti gjithashtu se, “Po nuk mund të gëzosh një titull pronësie pa e investuar atë tokë dhe ligji parashikon që në çdo rast kur në një kohë x shfaqet dikush tjetër me pretendimin që është pronari, shkon në gjyq fiton me atë, nuk merresh ti, merret shteti. I takon shtetit pastaj që ta kompensojë personin, i cili mund të shfaqet si pretendent i kësaj prone”, tha Rama.