Vendosni fjalën kyçe....

“Nga protesta nuk heqim dorë kurrë”, Berisha kërkon front të përbashkët me forcat e reja opozitare dhe studentët


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë një thirrje të hapur partive të reja opozitare dhe faktorëve të tjerë shoqërorë që të bashkohen me PD-në në aksionin kundër qeverisë.

Gjatë një bashkëbisedimi me mbështetësit në rrjetet sociale, Berisha theksoi se kjo forcë politike do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar unitetin e opozitës përballë asaj që ai e cilësoi si një “armik të egër”.

Përveç forcave politike, Berisha i drejtoi një apel të veçantë shoqërisë civile, intelektualëve, studentëve dhe pensionistëve, duke kërkuar angazhimin e tyre aktiv.

“Ne nga protesta nuk heqim dorë kurrë. Do të bëjmë gjithçka për t’u bashkuar me forcat e tjera opozitare. I bëj thirrje të bashkohemi, është koha të bashkohemi kundër një armiku të egër”, tha Berisha.

Ai u ndal konkretisht te shoqëria civile që ka mbetur jashtë kontrollit të qeverisë, duke përmendur si shembull rastin e Aulon Kalasë dhe qëndrimin që u mbajt ndaj tij.

Po ashtu, një thirrje e fortë shkoi për intelektualët, të cilëve u kërkoi të braktisin konformizmin.

“I bëj thirrje intelektualëve, dilni nga konformizmi juaj se është shkatërrimtar. Duhet t’i dilni zot vendit tuaj se po shkatërrohet”, theksoi ai gjatë apelit të tij.

Berisha rikonfirmoi se rruga e vetme e mbetur për PD-në është vijimi i protestave, ndërsa kërkoi që ky front i zgjeruar opozitar të shërbejë si një mjet për të ndalur atë që ai e quajti shkatërrim të vendit.