Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimet e protestuesve, Berisha: Urdhër politik, po mbahen në qeli pa asnjë fakt


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi online me qytetarët, ka dënuar ndalimin e 11 protestuesve dhe hetimin e 15 të tjerëve pas protestës kombëtare të së premtes.

Berisha i cilësoi këto masa si një terror policor dhe urdhër të pastër politik, duke theksuar se demokratët po mbahen në qeli pa asnjë fakt.

Berisha u shpreh se deputetët dhe avokatët e PD-së kanë ndjekur situatën nëpër komisariate deri në orët e para të mëngjesit.

Sipas tij, aksioni opozitar është e vetmja rrugë kur mazhoranca ka bllokuar institucionet e drejtësisë për çështjet që lidhen me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun.

“Me çështjen Balluku e Rama vërtet i mbyllën dyert në Prokurori e Gjykatë, por nuk do e mbyllin dot kurrë me ne deri në ditën e fundit”, tha ai.

Referuar slloganit “kilometri i fundit”, kreu i PD-së shpjegoi se kjo nënkupton që opozita ka kaluar sfidat më të mëdha dhe tashmë është shumë pranë rrëzimit të qeverisë. Ai theksoi se PD dështoi planet e atyre që kërkonin asgjësimin e saj ose shndërrimin në një opozitë fasadë.

“Kilometri i fundit për PD do të thotë që kjo parti kaloi vështirësi në kufijtë e legjendës, dështuan ata që donin ta asgjësonin, nuk e shndërruan dot në fasadë opozitë”, deklaroi Berisha.

I pyetur specifikisht për fatin e të arrestuarve, Berisha nënvizoi se veprimi në terren mbetet prioriteti i forcës që ai drejton, duke lënë pas debatet televizive si mjetin kryesor të përballjes.

“Demokratët mbahen në qeli për qëllime politike dhe pa asnjë fakt. Veprimi është aspekti kryesor, kur Rama i mbylli dyert drejtësisë”, theksoi ai gjatë komunikimit me qytetarët.