
Pas vizitës në Itali, kryeministri shqiptar Edi Rama ka vijuar axhendën e tij në Spanjë, ku do të marrë pjesë në Samitin e katërt “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që mbahet në Barcelonë.
Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet atje me ftesë të homologut spanjoll, Pedro Sánchez, ndërsa në fokus të samitit do të jenë temat “Institucionet dhe multilaterizmi” si dhe “Dezinformimi dhe teknologjia dixhitale”.
Diskutimet do të përqendrohen te rregullimi i mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimi i institucioneve demokratike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe adresimi i pabarazive si bazë për një demokraci funksionale.
Në kuadër të samitit, Rama pritet të zhvillojë takime dypalëshe me Sánchez dhe me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
Vizita në Spanjë vjen menjëherë pas qëndrimit në Itali, ku Rama u takua me kryeministren Giorgia Meloni. Në atë takim, dy liderët diskutuan forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ndërlidhja, mbrojtja dhe menaxhimi i emigracionit.
Takimi në Romë u zhvillua gjashtë muaj pas samitit ndërqeveritar mes dy vendeve, ku u nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm, përfshirë mbrojtjen, shëndetësinë, sigurinë dhe infrastrukturën.