Vendosni fjalën kyçe....

“Rama ka 12 firma në çështjen Partizani, mezi po pres përballjen” –Berisha



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka pranuar thirrjen si dëshmitar të Kryeministrit Edi Rama në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”.

Berisha u shpreh para gazetarëve se Rama është thirrur në këtë proces pasi, sipas tij, ka 12 firma në vendimin për privatizimin e kompleksit “Partizani”, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me çështjen.

Ai shtoi se nuk ka firmosur kurrë kundër një vendimi të kryetarit të bashkisë dhe akuzoi Ramën se, sipas tij, ka ndryshuar destinacionin e projektit duke ndikuar në zhvillimet rreth tij.

“Mezi pres përballjen. Madje them që të vijë më herët. Përballjen e kërkoj dhe e kam kërkuar me Ramën,” deklaroi Berisha, duke theksuar se çështja lidhet me ndryshime të pretenduara në destinacionin e pronës dhe vendime të mëhershme institucionale.

Dosja “Partizani” është një nga çështjet më të ndjekura penale ndaj ish-kryeministrit, ndërsa hetimet e SPAK lidhen me akuza për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Në këtë proces është i përfshirë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitime të paligjshme nga një projekt ndërtimi.

Çështja vijon në gjykatë dhe pritet të shihet nëse Kryeministri Edi Rama do të paraqitet si dëshmitar në seancat e ardhshme.