Vendosni fjalën kyçe....

S’ka analiza për të sëmurët në QSUT pas datës 20, ministrja: Deri në fund të vitit e zgjidhim (Video)


Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala pohoi sot se pas datës 20 prill dhe pas datës 20 të çdo muaji, nuk do ketë analiza për të shtruarit në spitale, për shkak të mungesës së fondeve.

Ministria e Shëndetësisë pranoi se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncesionarit. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala, premtoi se ky ngërç do të zgjidhet brenda vitit.

Ky shërbim prej vitit 2019 ofrohet nga konsorciumi “BOE Labopharma Sh.p.k & Exalab Francë & AB Laboratory Solutions B.V Holandë, me përfaqësues Labopharma Sh.p.k. Sipas kontratës mes Fondit i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe QSUT-së, koncesionari njofton spitalin për arritjen e 75% për qind të tavanit buxhetor mujor, shkruan Shqiptarja.

Pas këtij tavani, në laborator pranohen analizat për pacientet e referuar më pas vetëm për rastet e urgjencave. Sipas kontratës, kur arrihet tavani 100%, koncesionari e vijon shërbimin për rastet urgjente pa pagesë.

Sipas saj, po mblidhen të dhënat dhe do bëhet adresimi i problemit dhe zgjidhja e tij brenda vitit 2026.

“Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, tha Sala.