Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se autoritetet iraniane po shqyrtojnë një propozim të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, por theksoi se nuk ka plane për negociata direkte për mbylljen e konfliktit në Lindjen e Mesme, përcjell Fox News.
Në një prononcim për televizionin shtetëror, ai sqaroi se shkëmbimi i mesazheve përmes ndërmjetësve nuk duhet të interpretohet si negociatë.
“Shkëmbimi i mesazheve përmes ndërmjetësve nuk do të thotë negociata me SHBA-në. Ata kanë paraqitur ide në mesazhet e tyre, të cilat u janë përcjellë autoriteteve të larta dhe, nëse është e nevojshme, do të shpallet një qëndrim nga ana e tyre,” u shpreh Araghchi.
Megjithatë, deklaratat e tij lënë të kuptohet se Teherani mund të jetë i gatshëm për një marrëveshje, nëse plotësohen kushtet e vendosura prej tij, pavarësisht refuzimit fillestar publik për çdo lloj dialogu me Uashingtonin.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se liderët iranianë “po negociojnë në mënyrë indirekte” dhe se janë të interesuar për një marrëveshje, por hezitojnë ta pranojnë publikisht.
Sipas raportimeve, propozimi amerikan me 15 pika, i dërguar përmes Pakistanit, përfshin kërkesa si heqja e rezervave të uraniumit të pasuruar, ndalimi i pasurimit, përfundimi i programit të raketave balistike dhe reduktimi i financimit për aleatët rajonalë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje diplomatike vijojnë përmes kanaleve indirekte.
