
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se gjatë protestës së djeshme policia kishte marrë urdhra të drejtpërdrejtë për të goditur drejtuesit e opozitës.
Në një video të publikuar nga BalkanWeb, Noka dëgjohet teksa i drejtohet kreut të PD-së, Sali Berisha, duke i thënë se sipas informacioneve të tij, policia kishte një listë me emra konkretë.
“Ka pasur urdhër të prerë, informacioni im është që policia ka pasur urdhër me emra për të të goditur ty, mua dhe më pas Luçianon. Drejtuesit e partisë, me emra”, shprehet Noka në video.
Sipas tij, në këtë listë përfshihej edhe deputeti Luçiano Boçi, si dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike.
Protesta u shoqërua me tensione që në nisje, ku pati hedhje molotovësh dhe fishekzjarrësh në drejtim të institucioneve, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë me piper. Gjatë përplasjes pati edhe momente fizike mes protestuesve dhe efektivëve.
Në një moment tensioni, deputeti Boçi u përplas verbalisht me efektivët, duke i akuzuar për dhunë ndaj protestuesve, ndërsa Noka i cilësoi forcat e rendit si “mercenarë të krimit” dhe paralajmëroi se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi.