Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina vendos njësi ushtarake në Lindjen e Mesme për të interceptuar dronët


Ukraina ka dislokuar njësi ushtarake në pesë vende të Lindjes së Mesme për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe civile nga sulmet me dronë, bëri të ditur Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Sipas tij, njësitë ukrainase janë vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe Jordania, pas një turi diplomatik dhe ushtarak në rajon gjatë javës së fundit, përcjell Reuters.

Umerov theksoi se specialistët ushtarakë ukrainas operojnë në secilin prej këtyre vendeve në koordinim me institucionet e sigurisë së Ukrainës, duke u fokusuar në neutralizimin e dronëve dhe zgjerimin e zonave të mbrojtjes.

Kievi ka deklaruar më herët se disa vende kanë kërkuar ndihmën e saj për t’u mbrojtur nga sulmet me dronë kamikazë, një taktikë që Rusia e ka përdorur prej vitesh në luftën kundër Ukrainës dhe që së fundmi është përdorur edhe nga Irani në rajonin e Gjirit.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur se ka urdhëruar vlerësimin e gatishmërisë së vendeve për t’u bashkuar në iniciativa ndërkombëtare që synojnë garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të energjisë.

Ai theksoi se përvoja e Ukrainës në luftë po shndërrohet në një aset të rëndësishëm për partnerët ndërkombëtarë në përballjen me kërcënimet moderne të sigurisë.