Vendosni fjalën kyçe....

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas, OSSH do të zhvendosë linjat e energjisë afër shinave


Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group, do të zhvendosë disa linja energjie që ndodhen afër trasesë së shinave të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe zgjatimit të ri në Rinas.

Në një procedurë prokurimi që ka në objekt këtë projekt nënvizohet se kjo vjen pas një kërkese të bërë më herët gjatë vitit të shkuar nga Hekurudha Shqiptare për spostimin e linjave elektrike ajrore në kuadër të projektit: “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore Durrës-PTT Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)”, si dhe shkresës së ardhur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Spostimi dhe eliminimi i transversimeve ajrore konsiston në zhvillimin e një rrjeti të ri me linja kabllore të cilat në segmente të veçanta do të intersektohen poshtë shinave të trenit, të instaluara në tub plastik dhe me puseta nga secili krah. Për të respektuar distancat e sigurisë është parë e nevojshme që disa linja ajrore që shtrihen përgjatë trasesë së shinave të spostohen në një pozicion tjetër. Spostimi i këtyre linjave elektrike përfshin:

· Rrjet TM ajror 6kV, 20 kV dhe 35 kV (aksesorët e tij)

· Rrjet TM kabllor 6kV dhe 20 kV

· Rrjet TU ajror me kabëll ABC (aksesorët e tij)

· Rrjet TU kabllor me kabëll PVC (aksesorët e tij)

· Rrjet TU me ABC (aksesorët e tij)”, thuhet në dokumentet zyrtare të OSSH.

Në relacionin teknik të projektit thuhet se, referuar informacioneve nga Hekurudha Shqiptare sh.a., vendndodhja e trasesë së hekurudhës është përgjatë ish-shinave të trenit të vjetër, të cilat do të rehabilitohen, dhe është e shtrirë në disa segmente rrugore dhe më konkretisht: · Zona: Tiranë-Domje, Domje-Rinas, Domje-Vorë, Vorë-Durrës. Njësitë administrative: Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë dhe Bashkia Durrës, shkruan Monitor.

Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin në Rinas vijojnë prej vitit 2021, me një sërë vonesash që kanë shtyrë afatin e përfundimit dhe hyrjes në operim të saj disa herë. Në deklaratat e fundit zyrtare, nisja e plotë e operimit do të mund të bëhet vetëm në fillim të vitit 2027.

Ky projekt fillimisht u financua me një kredi rreth 70 milionë euro nga BERZH, ndërkohë që më vonë qeveria kërkoi një shtesë me 40 milionë euro të kësaj kredie për të mbyllur punimet e saj. Sipas argumentit, shkak për këtë shtesë është bërë shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, që e kanë rritur dukshëm faturën, ndërkohë që një pjesë e kësaj shtese do të shkojë për ndërtimin e stacioneve.

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas kanë një gjatësi 39 kilometra. Trenat në këtë hekurudhë do të jenë elektrikë dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total do të jenë 11 stacione përgjatë gjithë linjës.