
Policia Kufitare në Morinë ka arrestuar në flagrancë një 34 dhe 38 vjeçar nga Prishtina të cilët tentuan të futnin në Shqipëri një armë zjarri të fshehur në një automjet tip BMW, i cili rezultoi i vjedhur në Gjermania.
Ata janë identifikuar si Muhamet Pira dhe Halit Asllani.
Sipas policisë, automjeti transportohej me rimorkio nga një makinë tjetër tip Volkswagen Tuareg. Gjatë kontrollit të detajuar u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë me municion luftarak.
Njoftimi:
PKK Morinë/Finalizohet operacioni i koduar “JAD 1”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve motorike.
Tentoi të trafikonte në Shqipëri, një armë zjarri të fshehur në një automjet tip “BMW” të vjedhur në Gjermani, arrestohet 38-vjeçari nga Kosova.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, identifikohet dhe kapet shtetasi nga Kosova, që kishte porositur trafikimin e armës dhe automjetit.
Sekuestrohen arma e zjarrit (pistoletë) me municion luftarak, automjeti tip “BMW”, si dhe automjeti bashkë me rimorkio me të cilin transportohej automjeti tip “BMW”.
Si rezultat i verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut dhe punës operative, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë finalizuan operacionin e koduar “JAD 1”.
Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit M. P., 38 vjeç dhe H. A., 34 vjeç, të dy banues në Prishtinë.
Në hyrje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi M. P. që drejtonte një automjet tip “Tuareg”, në të cilin kishte rimorkuar një automjet tip “BMW” që nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Nga kontrolli i imtësishëm, në automjetin tip “BMW”, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë).
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera për këtë rast, është mundësuar identifikimi dhe arrestimi i shtetasit për llogari të të cilit ishin kryer këto veprimtari kriminale, H. A..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.