Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi pas refuzimit të arrestimit të Ballukut: Jo pasaportë europiane, por as iraniane nuk marrim me këtë standard



Gazmend Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, reagoi pas vendimit të Partisë Socialiste për të refuzuar kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi e cilësoi vendimin një sinjal shqetësues për standardet e sundimit të ligjit në vend.

Ai theksoi se për rastin e Ballukut, e cila dyshohet për abuzime me të paktën 1.1 miliardë euro, ligji nuk po zbatohet në mënyrë të barabartë:
“Sot, kur ligji ka trokitur në paradhomën e tij, Edi Rama ka ndryshuar standard. Për Belindën, që ka abuzuar me të paktën 1.1 miliardë euro, ligji nuk mund të jetë kaq i barabartë sa për të gjithë të tjerët.”

Bardhi ngriti edhe shqetësime për perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë:
“Çfarë mesazhi u kemi dërguar vendeve të Bashkimit Europian, që na kërkojnë sundimin e ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta? E them me bindje: jo pasaportë europiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga Gjykata Supreme e mazhorancës qeverisëse.”

Ai shtoi se sipas vizionit të kryeministrit Rama, hierarkia e drejtësisë është e ndikuar politikisht: “Gjykata e shkallës së parë, Apeli, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe Grupi parlamentar i Partisë Socialiste.”