
Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të hënën në mëngjes, ndërsa investitorët po vlerësojnë ndikimin e zgjatur të luftës me Iranin në furnizimin global me energji, përcjell Euronews.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i tregut, kaloi nivelin e 114 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, pasi tregtimi rifilloi në bursat ndërkombëtare. Ky është një rritje prej rreth 23% krahasuar me mbylljen e së premtes, kur çmimi ishte 92.69 dollarë për fuçi.
Edhe nafta amerikane West Texas Intermediate arriti rreth 114 dollarë për fuçi, rreth 25% më shumë se çmimi i së premtes prej 90.90 dollarësh.
Rritja e çmimeve vjen ndërsa konflikti, tashmë në javën e dytë, po përfshin zona kyçe për prodhimin dhe transportin e naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme.
Rreth 15 milionë fuçi nafte, ose afro 20% e prodhimit global, transportohen çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, kërcënimi nga sulmet me raketa dhe dronë ka bërë që shumë cisterna të shmangin kalimin në këtë rrugë strategjike, e cila përdoret për transportin e naftës nga Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani.
Tensionet u shtuan pasi Bahreini akuzoi Iranin për goditjen e një impianti të rëndësishëm për furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa depozita nafte në Teheran vazhduan të digjen pas sulmeve ajrore izraelite gjatë natës.