Vendosni fjalën kyçe....

“Ditari i llogarive” i shefit të kartelit meksikan dëshmon lidhjet me autoritetet


Dokumentet e zbuluara që pretendohet se i përkisnin ish-liderit të Karteli i Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG) sugjerojnë se ai kishte krijuar një sistem të gjerë ryshfetesh dhe pagesash për autoritetet lokale në Meksikë, duke përfshirë policinë dhe institucione të tjera shtetërore.

Këto dokumente, të përshkruara si një lloj “libri llogarish të narkotikëve”, përmbajnë shënime të shkruara me dorë dhe dokumente të printuara që u gjetën nga gazeta meksikane El Universal në një klub sportiv në Tapalpa, në shtetin Jalisco.

Sipas raportimeve, dokumentet u zbuluan në vendin ku autoritetet kishin organizuar një operacion në të cilin u vra lideri i kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, më 22 shkurt.

Operacioni kundër tij u zhvillua në koordinim me autoritetet amerikane dhe erdhi pas presionit të vazhdueshëm të presidentit amerikan Donald Trump ndaj presidentes së Meksikës Claudia Sheinbaum për të ndërmarrë veprime më të forta kundër krerëve të karteleve të drogës.

Sipas dokumenteve të publikuara, aktivitetet e kartelit në një zonë relativisht të vogël të shtetit Jalisco gjeneronin shuma shumë të mëdha parash. Vetëm gjatë muajit dhjetor, të ardhurat nga shitja e drogave si marihuana, kokaina, metamfetamina dhe fentanili, si dhe nga makinat e bixhozit, arrinin pothuajse në 500 mijë dollarë në qytetin Tapalpa, një nga 125 bashkitë e këtij shteti në Meksikën perëndimore.

Po në të njëjtin muaj, sipas shënimeve, rreth 8 mijë dollarë u paguan si ryshfet për policinë lokale, ndërsa rreth 70 mijë dollarë u përdorën për pagat e 26 vrasësve të kartelit, 30 rojeve të sigurisë dhe shpenzime të tjera operative. Dokumentet përmendin gjithashtu pagesa për forcat e sigurisë shtetërore dhe prokurorët federalë, si dhe rreth 35 mijë dollarë për një ekip hakerash që punonin për organizatën kriminale.

Ekspertët e krimit të organizuar theksojnë se është shumë e rrallë që dokumente të tilla të dalin në publik. Cecilia Farfán-Méndez nga Global Initiative against Transnational Organized Crime deklaroi se librat e llogarive të karteleve zakonisht mbeten në duart e autoriteteve dhe nuk publikohen. Sipas saj, nëse këto dokumente rezultojnë autentike, ato ofrojnë një pasqyrë të qartë të mënyrës se si grupet kriminale mbështeten në bashkëpunimin ose korrupsionin e zyrtarëve publikë për të funksionuar dhe për të mbajtur kontrollin në territor.

Qeveria meksikane reagoi duke theksuar se dokumentet janë në proces verifikimi. Ministri i sigurisë Omar García Harfuch njoftoi se prokurorët federalë po analizojnë materialin dhe do të vendosin nëse do të hapen hetime të reja. Presidentja Sheinbaum shtoi se arrestimet e dy kryebashkiakëve në shtetin Jalisco në muajt e fundit tregojnë se qeveria synon një politikë të “zero pandëshkueshmërisë” ndaj çdo zyrtari publik që rezulton të ketë lidhje me krimin e organizuar.

Dokumentet hedhin dritë edhe mbi dimensionin social të fenomenit. Në librin e llogarive përmenden pagesa relativisht të vogla për anëtarët e nivelit të ulët të kartelit: rreth 225 dollarë në javë për vrasësit dhe rreth 113 dollarë për rojet e sigurisë.

Kjo tregon se, megjithëse fitimet e organizatës janë shumë të mëdha, shumë prej njerëzve që punojnë për të janë të rinj nga shtresa të varfra që tërhiqen nga mundësia e një të ardhure të rregullt. Kjo situatë reflekton një nga sfidat më të mëdha të Meksikës: bindjen e të rinjve në zonat e varfra që të mos i bashkohen organizatave kriminale.

Gazetari i njohur meksikan Carlos Loret de Mola e përdori këtë rast për të kritikuar politikat e qeverive të fundit, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e programeve sociale që synojnë të largojnë të rinjtë nga krimi.

Sipas tij, realiteti i pagave dhe strukturës së kartelit tregon se shumë njerëz ende e shohin krimin e organizuar si një alternativë ekonomike, ndërsa debati në Meksikë vazhdon midis atyre që kërkojnë masa më të ashpra të zbatimit të ligjit dhe atyre, shkruan FT.