
Militantët vranë 15 ushtarë dhe plagosën pesë të tjerë në një kamp ushtarak në veri të Beninit, tha të premten një zëdhënës i ushtrisë, ndërsa dhuna po përhapet në rajonin e Afrikës Perëndimore.
Luftëtarët e lidhur me al-Kaedën dhe Shtetin Islamik kanë rritur me shpejtësi sulmet e tyre në zonat kufitare midis Nigerit, Beninit dhe Nigerisë, duke i kthyer korridoret e largëta të transitit në zona aktive konflikti.
Grupi i lidhur me al-Kaedën, Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin (JNIM), mori përgjegjësinë për sulmin e fundit në Benin, i cili sipas tij ndodhi në fshatin verior të Kofounos të mërkurën.
“Sulmi rezultoi në humbjen e 15 pjesëtarëve tanë dhe pesë të plagosurve, jetët e të cilëve nuk janë në rrezik,” tha zëdhënësi i forcave të armatosura të Beninit, Kolonel James Johnson.
Ushtria vrau të paktën katër nga “terroristët” dhe shkatërroi disa nga motoçikletat e tyre gjatë tërheqjes, shtoi Johnson. Ai mohoi pretendimin e JNIM-së se ky grup kontrollon kampin e Kofounos.
Benini rrallëherë komenton mbi dhunën xhihadiste në veri, megjithëse prillit e kaluar deklaroi se një sulm nga JNIM kishte vrarë 54 ushtarë, shkruan Reuters.