
Shembull të demokracisë e quajti kreu i Lëvizjes Bashkë Qori protestën e banorëve të Rrjollit.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të pezullojë menjëherë punimet në zonë nga kompania që kërkon të ndërtojë resort turistik gjë që ka çuar në përplasje me banorët që pretendojnë se toka ku është projektuar resorti është e tyre.
“Qytetarët e Rrjollit po i japin gjithë Shqipërisë në shembull të demokracisë së drejtëpërdrejtë. Një populli kur i shkelet e drejta themelore dhe prona është një e drejtë themelore, komuniteti ngrihet në këmbë dhe kërkon të drejtat e mohuara. Sigurisht këtu jemi para një grupi qytetarësh që kanë të drejtën e vet mbi pronën dhe një ujdie të pisët mes pushtetit politik dhe oligarkut Bashkim Ulaj që duan të ndërtojnë mbi tokat e qytetarëve një resort turistik dhe të fitojnë miliarda. Banorët po ndjekin edhe procedurat ligjore, por në Shqipëri askush nuk do t’ja dijë për ligjin. Që do të thotë gjëja më e udhës që duhej bërë në kushtet e një antagonizmi të tillë nga ana e qeverisë, do të ishte që të paktën të pezulloheshin punimet në këtë resort, derisa të sqarohej çështja nga pikëpamja ligjore. Sepse aq shumë njerëz që luftojnë aq fortë përditë, pa pyetur për sakrifica dhe dhunohen njëherë nga Policia e Shtetit dhe njëherë nga Polici Private, që një Zot e di si mund të rrahin njerëzit në prani të Policisë së Shtetit, këta qytetarë nuk janë duke luftuar për teka, por për të drejtat e tyre ligjore”, tha Qori.