
Në seancën e zhvilluar këtë të premte, para trupit gjykues është paraqitur Hashim Thaçi.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua i pafajshëm lidhur me aktakuzën e dytë që i është ngritur nga Gjykata në Hagë për ndërhyrje në drejtësi.
“Jam plotësisht i pafajshëm,” ka deklaruar Thaçi gjatë seancës hyrëse.
Seanca vijon me shqyrtimin e materialeve dhe dëshmive të tjera që lidhen me këtë çështje.
Prokurori Joshua Hafetz në nisje të fjalës së tij shfaqi fragmente të bisedave të incizuara në Hagë, gjatë takimeve të Thaçit me vizitorët e tij, përfshirë disa nga të akuzuarit, ku ai pretendoi se është tentuar të ndikohej te dëshmitarët.
“ZPS do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit përbënte kërcënim”, tha ai duke shtuar se synimi ishte të shmangej ky kërcënim.
Sipas tij, motivi i Thaçit ishte se ai “nëse gjendet fajtor” në rastin për krime lufte, “do të dënohet me burgim të gjatë” dhe prandaj, sipas ZPS-së, ai përdori mënyra për të ndërhyrë në drejtësi.
“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.