Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi komenton bllokimin e aksit Librazhd-Prrenjas: 3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë



Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje me situatën e infrastrukturës në vend, duke akuzuar zv.kryeministren Belinda Balluku për keqmenaxhim të fondeve publike.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se 3.8 miliardë euro janë administruar nga Balluku për rrugët vetëm gjatë dy viteve të fundit, duke e cilësuar këtë si një fond rekord që, sipas tij, do të duhej të sillte një revolucion në infrastrukturë në një vend të vogël si Shqipëria.

“3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë…!”, shkruan ai.

Deputeti demokrat rendit një sërë problematikash infrastrukturore, duke përmendur bllokimin e Juglindjes për shkak të dëmtimeve në rrugë, ngërçin në aksin Milot–Shkodër ku zgjerimi, sipas tij, nuk ka nisur, vonesat në segmentin Tiranë–Kashar dhe trafikun e rënduar në hyrje-dalje të Elbasanit.

Këlliçi ngre pikëpyetje mbi destinacionin e fondeve, duke deklaruar se ato përfaqësojnë taksat dhe punën e qytetarëve shqiptarë. Ai akuzon qeverinë për korrupsion dhe u bën thirrje qytetarëve të kërkojnë llogari për menaxhimin e parave publike.

Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga zv.kryeministrja Balluku lidhur me këto deklarata.