Vendosni fjalën kyçe....

Hyn në fuqi udhëzimi për rivlerësimin: Zbritje 1% për çdo vit përdorimi për apartamentet


I është hapur rruga nisjes së procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim 5% nga 15% që është aktualisht.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), që rregullon procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për individët. Ky udhëzimi përcakton:

Udhëzimi përcakton se mënyrat e rivlerësimit do të jenë pranë ASHK-së (me çmimet minimale fiskale) ose nga ekspert i licencuar.

Në udhëzim përcaktohet se në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.

Baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë. Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri maksimumi 30%. Për tokat, çmimi minimal fiskal është ai për metër katror sipas hartës së vlerave në fuqi.

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

Ndër të tjera në udhëzim përcaktohet se procedurat e aplikimit për rivlerësimin do të kryhet online përmes portalit e-Albania, duke bashkëngjitur dokumentacionin identifikues dhe, kur përdoret eksperti, aktin e vlerësimit të pasurisë dhe licencën e tij.

Pasi përllogaritet tatimi dhe tarifa e shërbimit, individi paguan faturën për arkëtim dhe ASHK konfirmon pagesën.

Për afatet e aplikimit në udhëzim përcaktohet se aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda datës 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor