
Kursi i këmbimit Euro-Lek po vijon më tej rënien gjatë kësaj jave dhe ka arritur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 96.35 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Agjentët e tregut shprehen se tregu vazhdon të ketë karakterizohet nga gjendje e bollshme e valutës, ndërsa kërkesa për të është e dobët.
Ata vlerësojnë se oferta e Euros gjatë muajve të parë të këtij viti mund të jetë ndikuar pjesërisht edhe nga eksportet e energjisë elektrike, të kryera nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Për shkak të kushteve të favorshme hidrike, KESH ka kryer shitje në vlera të konsiderueshme të energjisë elektrike në muajt e fundit. Vetëm gjatë muajit shkurt, janë realizuar pesë procedura të shitjes së energjisë elektrike.
Kursi i këmbimit Euro-Lek po e thekson rënien edhe në tremujorin e parë të vitit, një tendencë kjo e pazakontë në vitet e mëparshme. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë po vazhdon blerjet e valutës, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase ndaj Euros. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i Euros do të kishte rënë në nivele më të ulëta.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%.
Për këtë vit, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro, që ishin parashikuar për vitin 2025.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë argumenton se synimi i ndërhyrjeve të saj nuk ka është mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së lëvizjeve.
Analizat e Bankës së Shqipërisë arrijnë në përfundimin se rënia e kursit të këmbimit të Euros i detyrohet kryesisht rritjes së eksportit të shërbimeve dhe sidomos të turizmit, rritjes së investimeve të huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme.
Sipas Bankës Qendrore, këto zhvillime kanë gjeneruar një tepricë valute në tregun e brendshëm, tepricë e cila, së bashku me rritjen e besimit në monedhën kombëtare, ka sjellë presione për forcimin e Lekut.
Forcimi i vazhdueshëm i Lekut vlerësohet të ketë favorizuar importin e mallrave dhe shërbimeve nga jashtë dhe, të paktën pjesërisht, ka përcaktuar nivele më të ulëta të inflacionit të importuar. Por, nga ana tjetër, forcimi i Lekut po godet konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues të mallrave dhe shërbimeve, me pasoja serioze veçanërisht në aktivitetet e fasonerisë./Monitor