Vendosni fjalën kyçe....

Balla takohet me VanHorn: Diskutime mbi investimet amerikane dhe sigurinë në Shqipëri



Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së, Nancy VanHorn.

Balla njoftoi në rrjetet sociale se diskutimet ishin të shumta dhe produktive, duke përfshirë interesin e kompanive amerikane për investime në Shqipëri, partneritetet ekonomike dhe hapat për krijimin e një mekanizmi efikas për shqyrtimin e investimeve.

Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria është krenare që do të presë Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm dhe mbështet vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump, për rritjen e shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Balla vlerësoi gjithashtu mesazhet e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, mbi partneritetin euro-atlantik, të dhëna gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

“Ndërsa nesër në Washington Presidenti Donald Trump mirëpret Kryeministrin Edi Rama dhe aleatë të tjerë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, u takova sot me të Ngarkuarën me Punë Nancy VanHorn. Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe mbështesim vizionin e Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, angazhime të cilat Shqipëria po i përmbush hap pas hapi.

Gjithashtu diskutuam për interesin e kompanive amerikane, partneritetet e drejta ekonomike dhe hapat e hedhura nga autoritetet ekzekutive në inicijimin e një mekanizmi efikas për shqyrtimin e investimeve. Vlerësova lart mesazhet e Sekretarit të Shtetit Rubio mbi partneritetin e pazëvendësueshëm euro-atlantik në Konferencën e Sigurisë në Mynih”, shkruan Balla.