Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Jashtëm i PE miraton projekt-rezolutën për Shqipërinë 2025: Mbyllja e negociatave varet nga reformat konkrete



Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian ka përgatitur projekt-rezolutën për Shqipërinë për vitin 2025, ku vlerësohet progresi i arritur në procesin e integrimit dhe theksohet se mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027 do të varet nga zbatimi real dhe i qëndrueshëm i reformave kyçe.

Në dokumentin e siguruar nga BalkanWeb, nënvizohet se avancimi formal në kapitujt e negociatave duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në praktikë, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimi Europian. Draft-raporti pritet të diskutohet dhe votohet në strukturat përkatëse të PE në muajt në vijim.

Prioritetet kryesore

Projekt-rezoluta përshëndet hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve dhe ambicien për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, por thekson se prioritet mbeten:

  • forcimi i shtetit të së drejtës;

  • lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;

  • garantimi i funksionimit të plotë të institucioneve demokratike;

  • mbrojtja e lirisë së medias;

  • përshpejtimi i reformave socio-ekonomike.

Dokumenti vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm për zgjedhje konkurruese, por ngre shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative dhe pretendimet për blerje votash. Për këtë arsye kërkohet zbatimi i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe të Komisioni i Venecias, përpara cikleve të ardhshme zgjedhore.

Shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit

Rezoluta përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut, por evidenton sfida si stoku i lartë i çështjeve të prapambetura dhe nevoja për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Sa i përket korrupsionit, theksohet se mbetet një shqetësim serioz dhe kërkohen rezultate konkrete në hetime dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në nivele të larta. Po ashtu, bëhet thirrje për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë e BE-së si Europol dhe Eurojust në luftën kundër krimit të organizuar.

Të drejtat themelore dhe liria e medias

Dokumenti kërkon mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, transparencë mbi pronësinë e mediave dhe hetim efektiv të kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Gjithashtu, inkurajohet forcimi i mbrojtjes për pakicat dhe grupet e cenueshme, si dhe zbatimi efektiv i legjislacionit kundër diskriminimit.

Reforma ekonomike dhe mjedisi

Projekt-rezoluta përshëndet angazhimin në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por vëren dobësi strukturore si informaliteti dhe mjedisi sfidues për biznesin. Theksohet rëndësia e investimeve në arsim, inovacion dhe dialog social, ndërsa shprehet shqetësim për mungesën e progresit në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike gjatë vitit të fundit.

Politika e jashtme

Në dokument përgëzohet Shqipëria për përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë zbatimin e masave kufizuese dhe angazhimin në misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe për rolin konstruktiv në stabilitetin rajonal.

Projekt-rezoluta konfirmon se rruga drejt anëtarësimit mbetet e hapur, por thekson qartë se progresi do të matet me rezultate të prekshme dhe zbatim të qëndrueshëm të reformave.