
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII gjatë fjalës së saj në Ministerialin që po mbahet sot në Tiranë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Italia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania.
Spiropali e përshkroi Korridorin VIII si “ndërlidhjen e munguar lindje–perëndim të Ballkanit Jugor”, duke lidhur Adriatikun me Detin e Zi dhe rajonin me zemrën e Europës. Ajo nënvizoi se ndërlidhja nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me mundësi, qëndrueshmëri dhe siguri.
Ministrja prezantoi portofolin e projekteve prioritare, me vlerë mbi dy miliardë euro, që tashmë po zbatohen në sektorin hekurudhor, rrugor dhe energjetik. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të korridorit për ndërveprueshmërinë dhe mbrojtjen kolektive, duke mundësuar lëvizjen e forcave aleate dhe furnizimeve në rajon.
Spiropali kërkoi gjithashtu që të gjitha segmentet kyçe të Korridorit VIII të përfshihen brenda rrjetit bazë të transportit TEN-T, për të siguruar financime dhe prioritet politik, dhe nënvizoi nevojën për afate kohore të sinkronizuara, standarde teknike të ndërveprueshme, procedura kufitare më të shpejta dhe financim të koordinuar nga instrumentet evropiane dhe institucionet ndërkombëtare.
“Korridori VIII nuk është vetëm një projekt transporti. Është një deklaratë politike. Ai tregon se Adriatiku dhe Deti i Zi nuk janë skajet e Evropës, por portat e saj hyrëse”, përfundoi Spiropali.