Vendosni fjalën kyçe....

Ervin Salianji i përgjigjet Berishës: PD nuk është pronë personale, fitorja është alternativa



Ish-deputeti i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, i është përgjigjur kryetarit të PD, Sali Berisha, pasi ky i fundit deklaroi se Salianji nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Në një postim në Facebook, Salianji theksoi se nuk ka nevojë të provojë lidhjen e tij me PD-në, duke nënvizuar se kontributi, betejat dhe sakrificat e tij janë publike dhe të njohura për demokratët.

“Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit”, shkruan Salianji.

Ai shtoi se qytetarët sot nuk pyesin kush përjashton kë, por pse opozita nuk fiton dhe pse nuk organizohet si alternativë qeverisëse. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton dhe bashkon, jo për përplasje të brendshme.

Salianji bëri të ditur se do të vijojë takimet me demokratët dhe do të paraqesë një platformë konkrete për ta bërë PD-në më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese, duke theksuar se “përçarja nuk është alternativë, fitorja është”.