
Dy altarë romakë prej guri, të zbuluar pranë Edinburgut dhe tashmë pjesë e trashëgimisë kombëtare skoceze, do të dalin për herë të parë para publikut në një ekspozitë të re, duke hedhur dritë mbi një nga kultet më enigmatike të botës së lashtë.
Të gjetur në Inveresk, në East Lothian, altarët datojnë rreth vitit 140 pas Krishtit, në kohën kur Skocia jugore u ripushtua nën sundimin e perandorit Antoninus Pius. Ata përbënin zemrën e tempullit më verior të njohur të Perandorisë Romake kushtuar Mitrës, një hyjni e adhuruar në një kult sekret, ekskluzivisht mashkullor, që kremtonte triumfin e dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen.
Sipas ekspertëve, këto objekte “i japin jetë besimeve të kufirit romak” dhe ofrojnë një pasqyrë të re mbi jetën shpirtërore të ushtarëve që shërbenin në skajet më të largëta të perandorisë. Altarët u blenë në vitin 2016 nga Muzetë Kombëtarë të Skocisë (NMS) dhe, pas një procesi të gjatë restaurimi, do të prezantohen në nëntor në ekspozitën “Skocia Romake: Jeta në Teh të Perandorisë”.

Detajet e zbuluara gjatë restaurimit kanë befasuar specialistët. Dr. Fraser Hunter, kuratori kryesor i arkeologjisë romake në NMS, thekson se cilësia e gdhendjeve, gjurmët e bojës dhe efektet dramatike të ndriçimit tregojnë se altarët ishin monumente të kushtueshme dhe vizualisht mbresëlënëse. Njëri prej tyre mendohet se ishte projektuar të ndriçohej nga pas, në mënyrë që në dritën e zbehtë të tempullit të shfaqeshin sytë, goja dhe rrezet e kurorës diellore të zotit Sol, shkruan Independent.
Altari tjetër i kushtohet Mitrës dhe mban simbole të lidhura me Apollonin, përfshirë një lirë, një grifon dhe dy korba — elemente të zakonshme të ikonografisë mitraike. Të dy monumentet u dedikuan nga një centurion legjionar, i identifikuar përmes mbishkrimit të shkurtuar G CAS FLA si Gaius Cassius Flavianus, që besohet të ketë qenë komandanti i garnizonit në atë kohë.

Kur u zbuluan në vitin 2010, altarët ishin të thyer në fragmente. Restauruesit jo vetëm që i rindërtuan, por zbuluan edhe se fillimisht ishin të lyer me ngjyra të forta e të ndezura, duke sfiduar perceptimin modern për monumentet romake si struktura të zhveshura nga ngjyra.
Ekspozita synon gjithashtu të rishikojë idenë se romakët nuk depërtuan përtej Murit të Adrianit. Në fakt, perandoria e zgjeroi kontrollin e saj shumë më në veri në tri periudha të ndryshme, duke hyrë thellë në territorin e Skocisë së sotme.
Për herë të parë, gjetjet nga Inveresk do të paraqiten së bashku, duke treguar jo vetëm për jetën fetare në një postbllok kufitar, por edhe për mënyrën se si ai furnizohej nga rrjetet e gjera të perandorisë dhe ndikimin që prania romake pati mbi komunitetet vendase.