Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj do të dëshmojë në gjyq përmes videokonferencës për çështjen “Buka”



Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj mund të marrë pjesë në procesin gjyqësor ndaj tij për akuzën e shpërdorimit të detyrës për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës përmes audio ose videokonference. Kërkesa u bë nga avokatët e tij dhe u miratua nga Gjykata e Posaçme.

Në seancën e fundit, Prokurori i Çështjes, Elvin Gogaj, paraqiti kërkesat për provat shkresore dhe dëshmitarët, duke e akuzuar Ahmetajn se e ka kryer veprën me dashje dhe nuk ka zbatuar një vendim gjykate, megjithëse ishte në dijeni.

Në seancën e radhës do të thirret biznesmeni Lirim Fezollari, i cili ka përfituar nga privatizimi, ndërsa në listën e dëshmitarëve janë përfshirë edhe familja Myderizi dhe ish-Ministri i Financave Shkëlqim Cani.

SPAK ka ngritur këtë akuzë ndaj Ahmetajt për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa ish-zëvendëskryeministri aktualisht është në arrati për akuza të tjera lidhur me korrupsion dhe shpërdorim detyre.