
Viti 2026 ka nisur me një janar jashtëzakonisht të ngrohtë në shkallë globale, duke u renditur ndër pesë muajt e janarit më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, sipas raportit të publikuar nga observatori evropian Koperniku. Kjo ka ndodhur pavarësisht valëve të forta të të ftohtit që prekën hemisferën veriore gjatë javëve të fundit.
Sipas Shërbimit të Ndryshimit Klimatik Koperniku (C3S), temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe në janar 2026 ishte 12.95 gradë Celsius, ose 0.51 gradë mbi mesataren e periudhës 1991–2020. Ky muaj rezultoi vetëm 0.28 gradë më i ftohtë se janari i vitit 2025, i cili mban rekordin si më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë, dhe 1.47 gradë më i ngrohtë se niveli para-industrial i viteve 1850–1900.
Zëvendësdrejtoresha e C3S, Samantha Burgess, deklaroi se janari i këtij viti tregon qartë kontrastet ekstreme të sistemit klimatik global, ku mund të ndodhin njëkohësisht temperatura shumë të ulëta në disa rajone dhe nxehtësi ekstreme në të tjera.
Sipas raportit, hemisfera jugore përjetoi temperatura rekord gjatë janarit, çka kontribuoi në shpërthimin e zjarreve të mëdha në Australi, Kili dhe Patagoni. Temperatura mbi mesatare u regjistruan gjithashtu në Arktik, Groenlandë, Amerikën e Jugut, Afrikën e Veriut dhe Antarktidë.
Ndërkohë, hemisfera veriore u përball me valë të forta të të ftohtit, veçanërisht në Amerikën e Veriut, Siberi dhe Evropë. Si pasojë, Evropa regjistroi janarin më të ftohtë që nga viti 2010, me temperaturën mesatare në sipërfaqen e tokës 2.34 gradë Celsius nën normën sezonale.