
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, u vetëdorëzua pasditen e së hënës në Komisariatin e Policisë së Kavajës, pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që la në fuqi dënimin e dhënë në shkallën e parë.
Memolla nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore ku Apeli konfirmoi vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila më 24 janar 2025 e dënoi atë me 1 vit burg për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
Në zbatim të të njëjtit vendim, në polici është paraqitur edhe Blerim Xhamani, i dënuar gjithashtu me 1 vit burg.
Sipas dosjes hetimore, Xhamani, në bashkëpunim me Ilir Toskun dhe me kërkesë të Memollës, nuk i kanë ndërprerë energjinë elektrike një debitori të OSHEE-së, me qëllim që ky i fundit të votonte kryebashkiakun.
Hetimet tregojnë se dy punonjësit kanë falsifikuar të dhënat në procesverbal, duke deklaruar se energjia ishte ndërprerë, ndërkohë që në realitet abonenti debitor vijonte furnizimin me energji.
Edhe Ilir Tosku është vetëdorëzuar në polici. Ai u dënua me 8 muaj burg, dënim që gjykata e konvertoi në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.