Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ministri francez Jack Lang thirret për sqarime mbi lidhjet me Jeffrey Epstein


Presioni ndaj ish-ministrit francez të Kulturës, Jack Lang, është rritur të premten për shkak të lidhjeve të tij me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Lang, i cili nga viti 2013 udhëheq Institutin e Botës Arabe në Paris, u thirr nga Ministria e Jashtme për të diskutuar çështjen, ndërsa disa zyrtarë kanë sugjeruar që ai të “mendojë për institucionin” që drejton.

Ish-ministri 86-vjeçar ka mohuar çdo shkelje ligjore dhe ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit të Epstein në vitin 2008, kur u takuan rreth vitit 2012. Ai e përshkroi atë si një njohje të interesuar për artin dhe kinematografinë, i prezantuar nga regjisori Woody Allen. Në një intervistë për BFMTV, Lang theksoi se Epstein nuk ishte mik i tij dhe se e njihte pak, duke e konsideruar si “të apasionuar pas artit, kulturës dhe kinematografisë”.

Megjithatë, dokumente të publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tregojnë se Lang dhe Epstein kanë korresponduar herë pas here midis vitit 2012 dhe vdekjes së Epstein në vitin 2019. Në një email të vitit 2017, Lang falënderonte Epstein për një “kohë të shkëlqyer”, pothuajse një dekadë pas dënimit të financierit për nxitje të prostitucionit me një vajzë të mitur.

Një burim pranë Presidentit Emmanuel Macron tha se presidenca dhe zyra e kryeministrit kishin kërkuar që ministrat përkatës të kontaktonin Lang-un dhe ta këshillonin për institucionin. Ministria e Jashtme konfirmoi se takimi i Lang-ut ishte planifikuar për të dielën. Sipas Reuters, emri i Lang-ut shfaqet mbi 600 herë në dosjet e Epstein.

Sipas deklaratave të tij për mediat, Lang ndjehet i pastër nga çdo akuzë: “Nuk kam frikë nga asgjë dhe jam i pastër si kristali,” tha ai për RTL.

Publikimi i dosjeve ka rritur vëmendjen mbi lidhjet globale të Epstein me figura publike, përfshirë Andrew Mountbatten-Windsor dhe ish-ambasadorin britanik Peter Mandelson. Në këtë kontekst, vajza e Lang, Caroline, dha dorëheqjen si drejtuese e Unionit të Prodhimit të Pavarur të Francës, pas publikimit të lidhjeve të saj me Epstein. Babë e bijë mohojnë çdo shkelje, ndërsa Caroline deklaroi se për dënimin e Epstein të vitit 2008 mori vesh vetëm në vitin 2014, kur ai i sugjeroi ta kërkonte në Google, shkruan Reuters.