Vendosni fjalën kyçe....

Venezuela dhe SHBA afrojnë rikthimin e marrëdhënieve diplomatike, Rodriguez takohet me emisarën amerikane



Kryetarja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, zhvilloi të hënën një takim në Pallatin Miraflores me emisarën e Shteteve të Bashkuara, Laura Dogu, ndërsa të dy vendet po përpiqen të rindërtojnë marrëdhëniet diplomatike të ndërprera që nga viti 2019, përcjell Reuters.

Takimi u fokusua te agenda e punës mes Venezuelës dhe SHBA-së, përfshirë çështje të interesit bilateral si energjia, tregtia dhe temat politike dhe ekonomike, sipas ministrit të Jashtëm venezuelan Yvan Gil.

Rodríguez njoftoi gjithashtu emërimin e ish-ministrit të Jashtëm Felix Plasencia si përfaqësues diplomatik të Venezuelës në Uashington, një hap që synon të forcojë kontaktet mes dy vendeve.

Sipas ambasadës amerikane, Dogu i rikujtoi Rodríguez planet e tre fazave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që përfshijnë stabilizimin, rimëkëmbjen ekonomike, pajtimin dhe tranzicionin politik të Venezuelës.

Takimi ndodhi në një kohë kur vendi po përjeton ndryshime të mëdha politike, një muaj pas marrjes nën kontroll të ish-presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane, çka ka nxitur reforma, lirime të disa të burgosurve politikë dhe rifillimin e kontaktit diplomatik.

Arritjet mes dy vendeve përfshijnë gjithashtu një marrëveshje për eksportin e deri në 2 miliardë dollarë naftë venezuelane drejt SHBA-s dhe propozimin e një ligji amnistie për qindra të burgosur politikë.

Takimi konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të marrëdhënieve diplomatike midis Venezuelës dhe SHBA-së, të cilat ishin ndërprerë kur Maduro refuzoi mbështetjen amerikane për udhëheqësin opozitar Juan Guaidó në vitin 2019 dhe më pas mbylli misionet diplomatike.

Në një postim në rrjetin X, Dogu tha se ajo dhe ekipi i saj janë “gati për të punuar”, ndërsa pala venezuelane ka nënvizuar se dialogu do të bëhet mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe të së drejtës ndërkombëtare.