Vendosni fjalën kyçe....

Rrëshqitje gurësh pranë pikës kufitare të Trebishtit, banorët e Gollobordës kërkojnë ndërhyrje urgjente



Një rrëshqitje gurësh dhe inertesh është regjistruar në rrugën që lidh zonën e Gollobordës me pikën kufitare të kalimit Trebisht, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, duke krijuar rrezik për qarkullimin e mjeteve.

Kjo rrugë është jetike për banorët e Gollobordës në Bashkinë Bulqizë, pasi përmes saj sigurohet furnizimi me ushqime dhe karburant, si dhe kryhen shërbime shëndetësore, duke transportuar të sëmurët drejt spitaleve të Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas banorëve, gurët dhe inertet ndodhen në rrugë prej më shumë se dy javësh, pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Pamjet janë regjistruar vetëm pak metra larg pikës kufitare të Trebishtit, çka e bën situatën edhe më shqetësuese.

Banorët theksojnë se kjo është e vetmja rrugë funksionale për zonën, pasi aksi që lidh Gollobordën me Bulqizën është tepër i amortizuar dhe vështirëson ndjeshëm qarkullimin. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e rrugës, duke paralajmëruar se rreziku për aksidente është i vazhdueshëm dhe lëvizja e mjeteve po pengohet seriozisht.