Vendosni fjalën kyçe....

Trump padit IRS dhe Thesarin e SHBA-së për 10 miliardë dollarë, i akuzon për rrjedhje të deklaratave tatimore



Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur të enjten një padi prej 10 miliardë dollarësh (rreth 8.39 miliardë euro)ndaj Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së (IRS) dhe Departamentit të Thesarit, duke i akuzuar për rrjedhje të paligjshme të të dhënave të tij tatimore drejt mediave gjatë periudhës 2018–2020, përcjell DW.

Padia është depozituar në Florida nga Trump në cilësinë personale, së bashku me dy djemtë e tij më të mëdhenj, Eric dhe Donald Trump Jr., si dhe nga kompania familjare The Trump Organization.

Në dokumentet e padisë thuhet se IRS dhe Departamenti i Thesarit “kishin detyrimin ligjor të ruanin dhe mbronin deklaratat tatimore konfidenciale të paditësve”, por dështuan ta bënin këtë.

Sipas Trump, rrjedhja e informacionit ka shkaktuar “dëm reputacional dhe financiar, turpërim publik, dëmtim të padrejtë të reputacionit të bizneseve dhe ka paraqitur paditësit në një dritë të rreme”, duke ndikuar negativisht në imazhin publik të tij dhe të familjes.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump refuzoi vazhdimisht të publikonte deklaratat e tij tatimore dhe mbeti i vetmi president amerikan në kohët moderne që nuk i bëri ato publike, pavarësisht se më herët kishte deklaruar se do ta bënte.

Refuzimi i tij u pasqyrua gjerësisht nga mediat dhe u bë objekt spekulimesh të shumta.

Si u zbuluan deklaratat tatimore?

Në vitin 2024, ish-kontraktori i IRS-së, Charles “Chaz” Edward Littlejohn, u dënua me pesë vite burg, pasi pranoi fajësinë për rrjedhjen e deklaratave tatimore të Trump drejt mediave.

Pas këtyre rrjedhjeve, New York Times raportoi në vitin 2020 se Trump kishte paguar vetëm 750 dollarë taksë federale mbi të ardhurat në vitet 2016 dhe 2017, ndërsa për 10 nga 15 vitet e mëparshme nuk kishte paguar asnjë taksë federale.

Prokurorët thanë se rrjedhja e informacionit shkelte nenin 6103 të Kodit të IRS-së, një nga ligjet më të rrepta federale për mbrojtjen e konfidencialitetit të të dhënave tatimore.

Sipas autoriteteve, Littlejohn ua kishte dhënë informacionet tatimore të Trump mediave si The New York Times dhe ProPublica gjatë viteve 2018–2020, në atë që u cilësua si një rast “i paprecedentë në historinë e IRS-së”.