
Kryeministri Edi Rama theksoi se shteti do të ofrojë mbështetje për sipërmarrjet eksportuese për të mundësuar certifikimin e tyre ndërkombëtare.
Në një tryezë dialogu me biznesin eksportues, ku u shpalos platforma e re ExportOn, kreu i qeverisë tha se marka Made in Albania është një mundësi e mirë për të përafruar vendin me tregun e Bashkimit Evropian.
Rama tha se këtë mbështetje për “njohje” ndërkombëtare e shohin edhe si një investim strategjik të shtetit për ta ndihmuar biznesin drejt tregut evropian.
“Mbështetja e eksporteve, duke mbështetur prodhimet Made in Albania. E shoh me shumë simpati, por njëkohësisht qeveria është këtu dhe do të jetë në vijimësi për të mbështetur përpjekjen për të vendosur eksportuesin në qendër dhe çuar në një nivel tjetër marrëdhënien mes eksportuesve dhe shtetit, duke e shfrytëzuar Aidën si një stacion. Made in Albania është një markë cilësie dhe një pasaportë për BE, dhe për këtë arsye ne do të mbështesim dhe më shumë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar te konkurrenca me standarte të larta dhe të certifikuara nga BE për të krijuar më shumë vlerë dhe synuar fitim përmes vlerës së krijuar në cilësi dhe jo sasisë për të kapur një vlerë të caktuar.
Nga ana tjetër, mbështetja direkte që do të japim për certifikime ndërkombëtare është diçka që ne e shohim si investim strategjik të shtetit për të ndihmuar biznesin që të futet më shpejt në tregun e përbashkët evropian. Hap që kemi vendosur të hedhim bashkërisht duke shtuar mbështetjen financiare të shtetit për certifikimet ndërkombëtare dhe mbrojtur markën e pronësisë intelektuale të çdo prodhimi që futet në tregun evropian me identitetin shqiptar.”, u shpreh Rama.
Më tej, ai tha se kush nuk i beson inovacionit dhe transformimit dhe pret “oksigjen” nga shteti, do të humbasë.
“Kush nuk pret që vazhdimësia e sipërmarrjes t’i garantohet nga oksigjeni i shtetit por i beson inovacionit dhe transformimit i beson. Kush pret që në të kundërt të erës ë vazhdojë të rrijë aty ku është mësuar dhe qëndruar duke u mbajtur me oksigjen nga shteti është thjesht dhe vetëm duke shtyrë në agoni ditën e fundit. Besojmë shumë te manifaktura dhe ata që po ecin në rrugën e transformimit dhe krijimit të vlerës së shtuar. Dhe përmes manifakturës do të bëjmë më shumë në mbështetje të sipërmarrjeve që do të përqafojnë sfidën e transformimit.”, u shpreh Rama.