Vendosni fjalën kyçe....

Aksident i rëndë në aksin Librazhd–Elbasan, dy të plagosur te “Kthesa e Murrashit”



Një aksident i rëndë rrugor u regjistrua mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30 në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Elbasan, në vendin e njohur si “Kthesa e Murrashit”.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti i përfshirë në aksident dyshohet se po lëvizte me shpejtësi. Gjatë tentativës për të shmangur gurë dhe dhera të rënë në rrugë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit, i cili është përplasur me mbrojtëset metalike dhe më pas është përmbysur, duke përfunduar sërish në trasenë e rrugës.

Fatmirësisht, automjeti nuk ka rënë në lumin Shkumbin, çka do të kishte sjellë pasoja shumë më të rënda. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit dhe një person tjetër kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ndërsa automjeti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe autoambulanca, të cilat bënë të mundur ndihmën e të plagosurve dhe normalizimin e qarkullimit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në aksin Elbasan–Librazhd–Prrenjas të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet problematike si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku rrëshqitjet e dherave përbëjnë rrezik real për sigurinë rrugore.