
Një aksident rrugor është regjistruar gjatë orëve të natës në zonën e Melanit, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin mbrojtës anës saj.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin për shkaqe ende të paqarta. Në makinë udhëtonin babë e bijë. Si pasojë e përplasjes, gruaja me iniciale S.D., 45 vjeçe, ka pësuar dëmtime në kokë dhe fillimisht është transportuar për ndihmë mjekësore, për t’u dërguar më pas drejt një spitali në Tiranë, ku po merr trajtim më të specializuar.
Babai i saj, i cili ndodhej gjithashtu në automjet, ka marrë mjekim në spitalin e Peshkopisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ambulanca. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.