Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari i kërkon ILD-së hetim për gjyqtaren e Korçës, nuk zbardhi vendimin për 14 muaj


Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) me një kërkesë zyrtare për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani, për shkelje të rënda procedurale në trajtimin e një çështjeje penale për veprën “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Sipas dokumentacionit të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, vendimi penal është shpallur më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja përkatëse janë depozituar në sekretarinë gjyqësore vetëm më 7 mars 2024, duke shënuar një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh, në kundërshtim flagrant me afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Ministri Lamallari vlerëson se kjo vonesë e pajustifikuar ka sjellë pasoja konkrete juridike, pasi vendimi ka marrë formë të prerë më 20 maj 2024, duke i hequr të pandehurit mundësinë për të përfituar nga amnistia e parashikuar në ligjin nr. 33/2024.

“Në zbatim të neneve 71/2 të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenit 6, pika 10 e ligjit 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, dhe nenit 119/2 të ligjit Nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkohet fillimi i hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani”, thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga Lamallari.