Vendosni fjalën kyçe....

21 viktima nga përplasja e dy trenave në Spanjë, pezullohet qarkullimi mes Madridit dhe Andaluzisë



Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë hekurudhor të ndodhur në Adamuz, në provincën e Kordobës, ku një tren i kompanisë private Iryo me rreth 300 pasagjerë doli nga shinat dhe u përplas me një tren AVE të operuar nga kompania shtetërore Renfe, në linjën Madrid–Huelva, përcjell Euronews.

Sipas autoritetit spanjoll të infrastrukturës hekurudhore ADIF, pas aksidentit është pezulluar i gjithë shërbimi hekurudhor mes Madridit dhe Andaluzisë deri në një njoftim të dytë. ADIF konfirmoi se në vendngjarje janë angazhuar shërbimet e emergjencës, të cilat po punojnë në koordinim me autoritetet, Renfe dhe Iryo, ndërsa operacionet e shpëtimit pritet të zgjasin gjatë natës.

Pamjet e shpërndara nga pasagjerët në rrjetet sociale tregojnë disa vagonë të dëmtuar rëndë, ndërsa dëshmitarët raportojnë se përplasja u ndje “si një tërmet”. Për të dalë nga trenat, pasagjerët janë detyruar të thyejnë xhamat, çka ka shkaktuar lëndime të shumta nga prerjet.

Gazetari i televizionit publik RTVE, Salvador Jiménez, i cili ndodhej në trenin që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, bëri me dije se dy vagonët e fundit dolën nga shinat dhe njëri prej tyre u përmbys plotësisht. “U nisëm nga Malaga në orën 18:40. Në një moment u duk sikur pati një tërmet dhe më pas kuptuam se treni kishte dalë nga shinat,” deklaroi ai.

Sipas pasagjerëve, brenda vagonëve kishte edhe tym, ndërsa disa persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të plagëve të marra.

Kryqi i Kuq ka mobilizuar një ambulancë mjekësore nga Kordoba dhe tre të tjera nga Jaén, si dhe po dërgon ndihma bazë për pasagjerët e përfshirë në aksident.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, njoftoi përmes rrjetit X se ndodhet në Qendrën e Kontrollit Operativ të ADIF, nga ku po ndjek nga afër zhvillimet e situatës. “Do t’ju informoj për çdo lajm të konfirmuar,” shkroi ai.

Ndërkohë, presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, ka ofruar mbështetjen e spitaleve të kryeqytetit për trajtimin e të plagosurve dhe ka njoftuar se ekipe mbështetëse do të vendosen në stacionin Atocha për të asistuar familjarët e viktimave.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.