
Në vitin 2025, Integrated Energy BV SPV, kompania që mban kontratën PPP të inceneratorit të Tiranës rezulton financiarisht aktive me rreth 1,4 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, sipas Open Data, ndërkohë që totali i fondeve publike të transferuara deri më tani ka arritur në 9,1 miliardë lekë rreth 92 milionë euro.
Fondet janë alokuar teksa objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë pohuar Monitor më parë se, pagesat kryhen mbi bazën e faktit se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë ligjërisht në fuqi. Në këto kushte, ministria argumenton se ka detyrim të zbatojë kontratën dhe të kryejë pagesat e parashikuara, pavarësisht se objekti i saj nuk është realizuar.
Pagesat nuk lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e inceneratorit, por me ofrimin e asaj që në kontratë quhet “shërbim i integruar i menaxhimit të mbetjeve”.
Kontrata për ndërtimin e inceneratorit është reduktuar në depozitim të mbetjeve në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë që përbën thelbin e projektit me PPP.
Megjithatë, kontrata është hartuar në mënyrë të tillë që shteti paguan një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kjo do të thotë se kompania përfiton fonde publike edhe në mungesë të impiantit, mjafton të deklarojë se është në “gatishmëri” për ofrimin e shërbimit.
Në terma të menaxhimit të financave publike, kjo bie ndesh me parimin bazë të eficiencës dhe të pagesës kundrejt rezultatit. Rreziku i projektit, që në një PPP normale duhet të mbahet kryesisht nga privati, është transferuar pothuajse plotësisht te shteti.
Çdo vit që kalon pa ndërprerje ose rinegocim të kontratës, kostoja për taksapaguesit rritet, pa asnjë përmirësim në trajtimin e mbetjeve urbane.
Aktualisht kompania e inceneratorit të Tiranë është në sekuestro administrohet nga Agjencia për administrimin e Pasurive të Sekuestruara.
Në këtë fazë Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk është pronare e pasurive që administron. Ajo vepron si kujdestare e përkohshme për pasuri që janë nën sekuestro preventive, pra për pasuri që ende nuk janë konfiskuar me vendim të formës së prerë.
Sipas Monitor, kjo do të thotë se, ligjërisht, shteti nuk i konsideron këto pasuri si të vetat, por thjesht si asete që duhet të ruhen dhe të mos humbasin vlerë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Në këtë kuadër aktiviteti ekonomik i Integrated lejohet të vazhdojë dhe të ardhurat që krijohen nuk trajtohen si të ardhura buxhetore. Ato regjistrohen në llogaritë e vetë shoqërisë së sekuestruar dhe përdoren për shpenzime operative, paga, detyrime kontraktore ose mbahen të bllokuara financiarisht në pritje të një vendimi përfundimtar.

