Vendosni fjalën kyçe....

PD kallëzon penalisht Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi për “shpërdorim detyre”



Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Sipas PD-së, kallëzimi lidhet me bllokimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në lidhje me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Demokratët sqarojnë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me shkresë të datës 16 dhjetor 2025, i ka kërkuar Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur më 19 dhjetor 2025 për shqyrtimin e kësaj kërkese, por mbledhja është ndërprerë pa u caktuar një datë e re për vijimin e saj.

Sipas njoftimit për shtyp të PD-së, pesë deputetë anëtarë të këtij Këshilli kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur mbledhjen e tij, në disa data nga 22 dhjetori 2025 deri më 6 janar 2026, duke argumentuar se koha për njohjen me aktet ka qenë e mjaftueshme dhe se natyra e çështjes është urgjente, për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.

Grupi Parlamentar i PD-së pretendon se Kryetari i Kuvendit ka pasur detyrimin ligjor për të thirrur mbledhjen e Këshillit, por ka refuzuar ta bëjë këtë, duke vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe duke penguar, sipas tyre, mbarëvajtjen e hetimeve të SPAK.

Në këto kushte, PD vlerëson se janë plotësuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë veprimet e Kryetarit të Kuvendit.