
Policia e Shtetit ka ndërhyrë në orët e vona të mbrëmjes së së dielës për të shpërndarë protestën e aktivistëve të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, e cila zhvillohej prej rreth një muaji përpara godinës së Kryeministrisë.
Gjatë ndërhyrjes, forcat e policisë kanë larguar me mjete të posaçme disa nga pajisjet dhe mjetet e përdorura nga protestuesit gjatë qëndrimit të tyre të pandërprerë në zonë.
Në këtë aksion është raportuar se është lënduar edhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se ka pësuar dëmtime në kokë, të shkaktuara nga një bombol gazi.
Pas incidentit, në vendngjarje ka mbërritur ambulanca dhe Lapaj është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Protesta e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kishte nisur më 8 dhjetor dhe zhvillohej pa ndërprerje përpara Kryeministrisë, me kërkesa të bëra publike nga organizatorët gjatë kësaj periudhe.