Vendosni fjalën kyçe....

Ishin bllokuar në Malin Gramoz, shpëtohen 4 alpinistët


Katër alpinistë u bllokuan në majën “Çuka e Peçit” të Malit Gramoz, në një lartësi prej 2523 metra në Ersekë.

Në kërkim-shpëtimin e tyre u angazhuan forcat policore të cila pas disa orë kërkimesh të ndihmuar edhe nga banorë të zonës bënë të mundur lokalizimin e alpinistëve.

Alpinistët ishin bllokuar në kthim për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Njoftimi i policisë:

Policia në bashkëpunim me banorët e zonës, u vjen në ndihmë 4 alpinistëve.

Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të Komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falenderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *